Saturday, April 28, 2012

Anomalitë e Arterieve Koronare



Edhe në Kosovë është shënuar ngritje të shkallës së sëmundshmërisë nga kjo sëmundje në dekadat e fundit. Kjo sëmundje shfaqet si pasojë e ngushtimit të arterieve koronare, arteriet që ushqejnë vet muskulin e zemrës. Këto arterie dalin nga aorta dhe janë dy: arteria koronare e djathtë dhe arteria koronare e majtë, e cila furnizon me gjak deri në 70% të muskulit të zemrës, dhe ndahet në dy degë pas një gjatësie rreth 1-2 cm nga trungu i aortës. Ngushtimi i këtyre arterieve vjen nga një proces që quhet arterosklerozë, që konsiston në formimin e pllakave (shiritave) arterosklerotike, një proces jo krejt i njohur, por kryesisht nga depozitimi i yndyrave me densitet të vogël.
Studimet kanë treguar se faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për shfaqjen e sëmundjes koronare janë, pirja e duhanit, diabeti, hipertensioni arterial, dislipidemitë (shtimi i yndyrave në gjak), mosha, etj. Sëmundja e arterieve koronare në shumicën e rasteve shfaqet në mënyrë graduale, me simptoma të sindromës klinike që quhet angina pectoris, në të cilën fazë pacienti ka ngushtica të arterieve koronare, por nuk është shkaktuar akoma mbyllja e tyre dhe për pasojë nuk është shkaktuar vdekja qelizore e muskulit të zemrës (infarkti). Këta të sëmurë kryesisht ankojnë për dhimbje gjoksi, e cila kryesisht shfaqet në sforcim (aktivitet) fizik, ka karakter shtrëngues dhe zgjatë disa minuta. Dhimbja kryesisht pushon me ndërprerjen e aktivitetit fizik. Në këtë fazë, sëmundja e arterieve koronare në shumicën e të sëmurëve zbulohet me metoda diagnostike jo-invazive (elektrokardiogrami, ekografia e zemrës, ergometria-stres-testi).

Elektrokardiogrami
Ekografia e zemrës
Ergometria-stres-testi
Te një numër të konsiderueshëm të të sëmurëve është e nevojshme të bëhet koronarografia (angiografia koronare), e cila konsiston në incizimin e lumenit të arterieve koronare me kontrast.

Angiografia koronare
Mjekimi i këtyre të sëmurëve konsiston në dhënien e Aspirinës dhe barnave të ngjashme me të, të cilat pengojnë formimin e trombeve në lumenin e arterieve koronare dhe për pasojë infarktin (pikën në zemër), dhënien e Statinave (barnave kundër yndyrave) të cilat parandalojnë progredimin dhe bëjnë stabilizimin e pllakës arterosklerotike, dhe për pasojë parandalojnë shfaqjen e infarktit akut, si dhe barna tjera për zgjerimin e arterieve koronare dhe për uljen e shpeshtësisë së punës së zemrës, në konsultim me mjekun. Megjithatë, në të sëmurët që kanë ngushtica sinjifikante në arteriet koronare (>60-70% të lumenit të tyre), dilatacioni (zgjerimi) i këtyre arterieve me ballon intrakoronar dhe implantimi stenteve intrakoronare (legura që janë të dizajnuara për të mbajtur të hapur lumenin e arterieve të ngushtuara koronare) është e vetmja metodë e rekomandueshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Në rast të trajtimit jo adekuat të kësaj sëmundjeje, angina pectoris, përfundon në infarkt akut të miokardit (pika në zemër), që për pasojë ka vdekjen e një sasie të muskulit të zemrës dhe atë në vartësi të territorit që ushqen arteria gjegjëse. Të sëmurët me infarkt akut të miokardit kanë dhimbje të forta gjoksi, të karakterit shtrëngues dhe që zgjasin zakonisht më shumë se 20 minuta. Të këta të sëmurë shfaqen ndryshime në EKG dhe rritje të enzimave kardiake si pasojë e vdekjes qelizore miokardiale. Te këta të sëmurë duhet të bëhet mjekimi simptomatik (dhënia e barnave kundër dhimbjes - analgjetikët), oksigjeni, etj., dhënia e barnave për shkrirjen e trombit (fibrinolitikë) me qëllim të hapjes se lumenit të arteries gjegjëse koronare dhe trajtimin invaziv (angioplastika koronare me ballon dhe implantimi i stenteve koronare). Trajtimi invaziv i sëmundjes koronare, sidomos kur bëhet në orët e para të infarktit, ka bërë të mundur shpëtimin e miokardit nga vdekja e tij, dhe për rrjedhojë ka përmirësuar ndjeshëm kualitetin e jetës dhe ka ulë vdekshmërinë në të sëmurët me infarkt.

Angioplastika koronare
Të sëmurët me infarkt akut të miokardit duhet të korrigjojnë stilin e jetës; ushqim me më pak yndyra, aktivitet i rregullt fizik, ndërprerje e pirjes së duhanit, korrigjimi i vlerave të tensionit arterial në të sëmurët me shtypje të lartë të gjakut, mbajtja e vlerave të glikemisë (sheqerit) në gjak brenda vlera normale, si dhe marrja e rregullt e barnave që përshkruhen nga kardiologu apo mjeku familjar.
Trajtimi medikamentoz (me barna) është agresiv sidomos vitin e pare pas infarktit, ndërsa më pak agressive do të jetë e përjetshme. Prevenca (parandalimi) sekondare me statina dhe aspirinë bëhet të të gjithë të sëmurët për tërë jetën e tyre. Gjithashtu të sëmurët me rrezikshmëri të lartë për sëmundje koronare (faktorë rreziku) duhet të bëjnë prevencë primare me barnat e sipërshënuara.
Gjithsesi, aktiviteti i rregullt fizik, dieta pa yndyra me origjinë shtazore, mospirja e duhanit, kontrollimi i mirë i nivelit të sheqerit në gjak te diabetikët, si dhe kontrollimi i mirë i vlerave të shtypjes së gjakut, janë masat më të mira parandaluese për zhvillimin e kësaj sëmundje me sëmundshmërinë më të lartë në botë, si dhe me vdekshmëri të lartë në botë, dhe e cila në ditët e sotme paraqitet në mosha gjithnjë e më të reja. Kjo shton nevojën e ndërmarrjes së këtyre masave parandaluese në moshat sa më të reja.
Shkruar nga Prof: G.B

0 comments:

Post a Comment